Barcelona nuk do të mundë ta transferojë Neymarin këtë verë, sipas gazetës Le Parisien, pasi që kriza e koronavirusit i ka lënë katalonasit në gjendje të keqe financiare. Gazeta franceze raporton se një transferim i tillë mund të ndodhë vetëm në vitin 2021. 28-vjeçari Neymari ka qenë i spekuluar për një kthim te gjigantja e La Ligës gjatë afatit kalimtar të verës, tre vjet pasi ishte larguar nga atje për t’u transferuar në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Neymari thuhej se e dëshironte një transferim të tillë edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje dhe braziliani mbeti në stadiumin Parc des Princes. Megjithatë, shpresa e tij për t’u kthyer në Camp Nou thuhet se nuk është shuar ende dhe ai shpreson se do të mundë ta realizojë këtë dëshirë të tij këtë verë, kur Barcelona shpreson ta bindë PSG-në me një ofertë më të ulët.

Mbi këto shpresa ka hedhur dyshim gazeta franceze Le Parisien e cila raporton se Neymari do ta ketë pothuajse të pamundur të ndërrojë klub këtë verë, pasi kriza e Covid-19 i ka shkaktuar dëme të shumta klubit katalonas. Ndërsa, po i njëjti medium shton se dëshira e brazilianit për t’u kthyer në Camp Nou do të mundë të realizohet më në fund verën e vitit 2021, kur PSG-ja do të ishte më e motivuar ta shesë futbollistin pasi që kontrata e tij do të jetë drejt fundit.