Ish-lojtari i Manchester United, Ryan Giggs, beson se Bruno Fernandes dhe Paul Pogba është një kombinim i qendrës së mesfushës, që mund t’i sjellë shumë suksese klubit. Bruno ka provuar se është vërtet goditje në merkato, që kur arriti nga Sporting CP në janar. Megjithatë, portugezi nuk ka pasur mundësinë të punojë në bashkëpunim me Pogba, për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës të fituesit të Kupës së Botës më 2018. Forma e francezit ka qenë burim debatesh për shumë muaj, por Giggs beson se te Bruno, trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka pikasur potencialin e një ylli.
Duke folur për “Sky Sports” në lidhje me koordinimin mes dy mesfushorëve në fjalë, trajneri i Uellsit tha: “Ju nuk mund t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje derisa të luajnë së bashku. Lojtarët e mirë duhet të jenë në gjendje të luajnë me lojtarë të tjerë të mirë, por duhet të presim dhe të shohim. Ata të dy kanë shumë cilësi, mund ta plotësojnë njëri-tjetrin”.
Tre gola dhe tri asiste e kanë bërë Bruno një “hit” të menjëhershëm për tifozët e “Djajve të Kuq”, që kanë filluar ta krahasojnë me legjendën e klubit, Eric Cantona. Sidoqoftë, Giggs mendon se është shumë herët për të pikasur të tilla ngjashmëri me një lojtar, që njihej si mbreti i “Old Trafford”: “Nënshkrimet e Ole kanë qenë të mira, jo vetëm si lojtara, por ata janë edhe njerëz të mirë. Fernandes e ka filluar mjaft mirë, por le të shohim sa tërheqës do të jetë në mbyllje të sezonit. është e hershme për ta krahasuar me ish-lojtarët që kanë pasur një ndikim të madh në këtë klub, si Eric Cantona, por sigurisht që ai ka një fillim të shkëlqyeshëm.
Fernandes i ka bërë lojtarët rreth tij më të mirë, vetë është përshtatur menjëherë. Kjo është gjithmonë ajo që doni nga një përforcim i ri. Ai, gjithashtu, duket një djalë i mirë, dëshiron të japë maksimumin për klubin. Eshtë emocionues kur merr topin, si e përdor dhe kontrollon atë. Ai u ka dhënë të gjithëve optimizëm, lojtarëve përreth tij, stafit teknik, tifozët. Një fillim vërtet pozitiv, por një rrugë e gjatë për t’u vazhduar ende”.