Fermerët nga Gjirokastra kanë rritur ndjeshëm interesin për të përfituar financim nga qeveria në zhvillimin e aktivitetit të tyre në sektorin bujqësor. Qarku i Gjirokastrës renditet ndër qarqet me numrin më të lartë të aplikimeve të fermerëve në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur për ATSH-në, se nga qarku i Gjirokastrës kanë aplikuar 780 fermerë për një vlerë totale financimi prej 187 milionë lekë.

Sipas të dhënave nga AZHBR, këtë vit ka pasur një interes të shtuar të fermerëve për të përfituar subvencione në blegtori, si sektori me përparësi më të madhe zhvillimi në këtë rajon. AZHBR bën të ditur se, në datën 19 qershor 2020, mbylli aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Fondi mbështetës që iu vjen në ndihmë fermerëve për vitin 2020 është 743 900 000 lekë, ndërkohë në total janë vlerësuar si aplikime të rregullta 7653 fermerë dhe kjo konsiderohet si një nga shifrat më të larta që AZHBR ka administruar ndonjëherë gjatë këtyre viteve.

AZHBR informon, se me përfundimin e kontrollit administrativ të dokumenteve që gjenerohen online, do shpall brenda 10 ditëve listën e aplikantëve të kualifikuar me vizën e financimit dhe dokumentet plotësuese, sipas masës përkatëse, në faqen zyrtare të saj www. azhbr .gov .al. AZHBR njofton se, të gjithë aplikantët mbi vijën e financimit, përfshirë edhe ata me mangësi në aplikim, sipas evidentimeve në listat e shpallura, se kanë afat deri më 17 korrik 2020, të dorëzojnë dokumentet e kërkuara në Agropikën më të afërt, në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me postë në adresën: rruga “Muhamet Gjollesha” nr. 56, Tiranë.