Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj në Kuvend tha se reforma në drejtësi po vazhdon, por rrezikohet nga ata që tentojnë vazhdimisht ta minojnë.

“Ka pasur rezultate pozitive nga reforma në drejtësi, të gjitha institucionet ushtrojnë funksionet e tyre por rrezikohet nga ata që tentojnë vazhdimisht ta minojnë. Që të jetë funksionale kjo drejtësi ka ende kohë. Plotësimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese nuk ka ecur në kohë, por kjo s’do të thotë se dështoi reforma. Ky nuk është problem i vettingut por problem i trashëguar dhe mangësi e integritetit të atyre gjykatësve të shkarkuar. Përpos sulmeve nuk është koha të ngadalësojmë procesin. Opinioni i Venecias në asnjë rast nuk i preku parimet e vendosura nga kjo reformë, i dha të drejtë Kuvendit për emërimet në GJK. Kjo nuk është një ndeshje me të fituar dhe të humbur se nëse nuk ngrihet në kohë Kushtetuesja humbasim të gjithë”, u shpreh ministrja Gjonaj.