Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se sfida e ardhshme e institucionit që ajo drejton është ngritja e Institutit multidisiplinar të të miturve, për ta kthyer trajtimin e tyre në një histori suksesi në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Në Ditën e Fëmijëve, Gjonaj përcolli një urim të veçantë për të miturit e kufizuar nga liria dhe ata në kontakt me organet e drejtësisë.
Gjonaj tha se prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është ngritja e qendrave sociale multidisiplinare pranë bashkive, ku të miturit e kufizuar nga liria dhe ata në kontakt me organet e drejtësisë të mund të përfitojnë nga programet rehabilituese.
“Për ne është një mision i vazhdueshëm që të sigurohet mbrojtja dhe garantimi i plotë i të drejtave të tyre përmes gjithë instrumenteve që disponojmë. Nëpërmjet qasjes së re rehabilituese dhe riintegruese që solli reforma në drejtësinë penale për të miturit, prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë është ngritja e qendrave sociale multidisiplinare pranë bashkive, ku këta të mitur mund të përfitojnë nga programet rehabilituese”, deklaroi Gjonaj.
Sipas saj, “më shumë se kurrë, na takon një punë e shumëfishtë për të garantuar një trajtim rehabilitues edhe më social për ta, pasi veç të tjerash çdo fëmijë është pasqyra e së ardhmes”.