Kontrata e Mario Goetzes me Borussian e Dortmundit përfundon në fund të këtij muaji dhe fantazisti pritet të zgjedhë vetë të ardhmen e tij, ndërsa ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar si nga Bundesliga, ashtu edhe nga klube të tjera evropiane. Më së shumti kanë qenë klubet e kryeqytetit italian, Roma dhe Lazio, ato që kanë këmbëngulur për të nënshkruar me fantazistin gjerman, ndërsa sot një detaj tjetër mund të përkthehet si një sinjal që e ardhmja e Goetzes do të jetë pikërisht në Itali.
Kjo pasi më 5 qershor futbollisti u bë baba dhe bashkë me të shoqen Ann-Kathrin kanë vendosur ta quajnë djalin e tyre Rome, njësoj si kryeqyteti evropian, ndërsa kaq ka mjaftuar që mediat të aludojnë për një akord të tij me klubin verdhekuq të Serisë A. Ndonëse vetëm 28 vjeç, Goetze nuk ka arritur të shprehet në nivele të larta sezonet e fundit dhe për këtë arsye po kërkon një skuadër tjetër evropiane, ku të mund të luajë rregullisht dhe të rikthehet në formën më të mirë. Në romë janë gati t’i ofrojnë një kontratë 4-vjeçare, me pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, shifra këto që duket se kanë joshur fantazistin gjerman, ndonëse vetëm pas përfundimit të sezonit të Bundesligës, do të mund të kemi më shumë informacione.