Autoritetet greke vendosën të pezullojnë deri më 15 qershor të gjitha fluturimet nga Katari, pasi 12 pasagjerë të nisur nga Doha, me destinacion Athinën rezultuan pozitivë me Covid-19.

Të 91 pasagjerët e këtij fluturimi iu nënshtruan testimit dhe 9 prej tyre që dolën pozitivë ishin shtetas pakistanezë me leje qëndrimi greke, të gjithë nga qyteti i Gujrat, 2 shtetas grekë nga Australia dhe një shtetas japonez.

Sipas protokolleve të vendosura nga autoritetet, të gjithë pasagjerët që hyjnë nga ajri transportohen në hotele karantinë derisa sa të përfundojnë rezultatet e testimeve.

Pasagjerët që rezultuan pozitivë duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë. Ata që janë negativë do të izolohen për 7 ditë. Pas 7 ditësh këta persona do të testohen sërish përpara se të lihen të lirë.