Hapja graduale e transportit detar të udhëtarëve do të shoqërohet me zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore në regjimin e hyrje-daljeve nëpërmjet Portit të Durrësit. Në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, u zhvillua takimi bashkërendues me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe operatorët privatë të transportit të pasagjerëve.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Doganës, Kapitenerisë së Portit, Policisë kufitare, si dhe përfaqësues të operatorëve privatë. Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e zbatimit rigoroz të protokolleve shëndetësore për regjimin e hyrje-daljeve nëpërmjet Portit të Durrësit.
Drejtori i Autoritetit Portual, Pirro Vengu kërkoi intensifikimin e kontrolleve shëndetësore për të gjithë pasagjerët që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet Porti të Durrësit, koordinuar dhe me Sektorin e Mbrojtjes Shëndetësore të APD-së. Prioritet në këtë proces mbetet dhe mbrojtja e personeleve dhe ekuipazheve në detyrë, pajisjes së tyre me masa mbrojtëse dhe kujdesit të shtuar higjienik gjatë ushtrimit të detyrës.
Të pranishmit diskutuan dhe hyrjen në fuqi të planit të posaçëm për sezonin turistik, me regjim të ri të hyrje-daljeve dhe vigjilencë të shtuar për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.