Një valixhe plot me ar. Ky është një objekt i humbur shumë i veçantë, që është gjetur në një tren në Zvicër, mes San Gallos dhe Lucernës. Në tetor, dikush kishte harruar në një vagon një thesar të vërtetë. plot tre kg me ar, me një vlerë rreth 170 mijë euro.
Por, e veçanta më e madhe është se akoma, askush nuk ka shkuar ta kërkojë sendin e humbur në zyrën përkatëse. Gjetja e valixhes u bë publike vetëm pas përpjekjeve të pasuksesshme të autoriteteve zvicerane për të gjetur pronarin. Ky i fundit, ka akoma pesë vite kohë që të bëhet i gjallë dhe të paraqitet në prokurorinë e Lucernës, edhe pse nuk është e qartë se si autoritetet do të verifikojnë pretendimin e kujtdo që të paraqitet për të kërkuar arin.