U kthye në fushë pas disa kohësh dhe me gol. Gonzalo Higuain nuk mund të kërkonte asgjë më të mirë për ta dëshmuar veten, pas muajve të vështirë. Fizikisht, por edhe mendërisht. Pas fitores 4-0 ndaj Lecce, argjentinasi foli për “Sky Sport”: “Kam kaluar një kohë të keqe, por fatmirësisht tani u riktheva. Kam vuajtur brenda vetes, sepse e kuptova që ekipi kishte nevojë. Jam i lumtur që mund ta ndihmoj Juventusin për ta përfunduar sezonin siç duhet, ky ekip më ka dhënë shumë. Ekipi, trajneri, klubi dhe tifozët kanë qenë pranë meje”.
Përveç situatës globale për shkak të Covid-19, argjentinasi përjetoi muaj të vështirë për shëndetin e nënës: “Ishte një kohë e keqe, prej pandemisë dhe shëndetit të nënës. Për t’u rikthyer ishte mjaft e vështirë”. Maurizio Sarri, gjithashtu, foli në konferencën për shtyp për sulmuesin e tij: “Higuain ka vuajtur në muajt e fundit si nga problemet e familjes, ashtu edhe nga pandemia. Jam i kënaqur që ai shënoi sonte dhe u pajtua me futbollin”.