Fatjoni, një djalë nga Qinami, fshati i njësisë administrative Zall Herr në kryeqytet, ka lënë Italinë për t’ju përkushtuar fermës së tij për prodhimin e rrushit. Fatjoni ka përfituar nga Skema e Mbështetjes për vaditje dhe mbjellje, duke marrë një grand prej 1.7 milionë lekësh të rinj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga vreshta e Fatjonit, ndërsa shprehet se, “në fshatin Qinam të Zall Herrit, me Fatjonin, që pasi punoi e mësoi në emigracion, la fermat e Italisë për tokën e shtëpisë”.
“Falë vullnetit për punë dhe projekteve të mençura, ai ka përfituar financime mbështetëse dhe ka ngritur rreth 4.6 ha vreshta me varietete të ndryshme rrushi, prej të cilave prodhon verërat e zonës”, tha Rama.
Rama shton se, “si përfitues i Skemës Kombëtare të Financimit nga AZHBR, Fatjoni ndërtoi një sistem të ri modern të vaditjes me pika të vreshtave”.
Duke treguar historinë e tij për ERTV Fatjoni shprehet se, “sipërfaqja e fermës është tek 4.6 ha me disa varietete rrushi për tregti dhe kantinat në vend. Rrushi është i llojit Merlot, Kabërnet, janë dhe dy lloje të tjera, Syrah, Muskat. Babai im është agronom, ai gjithë jetën ka punuar dhe është marrë me vreshta dhe ma ka lënë si pasion këtë pjesë. Unë lashë Italinë për të ndjekur pasionin tim. Kthimi nga Italia ishte i vështirë, pasi mamaja thoshte që do lodhesha shumë. Në Itali punoja tek një fermë 150 hektarë, punonim 5 persona, kishim katër traktorë. Ne këtu tek ferma jonë përdorim sistemin “Gujot”, që është një sistem që mundëson të kesh bimë të reja dhe të fuqishme”.
“Ka qenë e thjeshtë, dikur më përpara, kur kam pas aplikuar, humbnin dokumentet e nuk merrej vesh kush fitonte e kush jo. Por tani çdo gjë është me sistem është elektronik dhe e merr vesh menjëherë nëse fiton apo jo”, tha Fatjoni.