Përmes programit të IPARD, fermerë nga i gjithë vendi po mbështeten financiarisht për investime që rrisin prodhimet e tyre. Kryeministri Edi Rama publikoi sot historinë e Ymerit dhe familjes së tij në fshatin Novosej të Kukësit, të cilët janë të angazhuar në rritjen e bletëve dhe të bagëtisë. Drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca po vijon turin e takimeve me fermerë në të gjithë vendin për t’i njohur ata me mundësitë për të përfituar financime përmes programit të IPARD-it, por edhe për të parë investimet e kryera nga fondet e shpërndara vitet e mëparshme.

“Në shtëpinë e një familjeje të bukur shqiptare, shëmbëlltyrë e suksesit me mundin dhe djersën e çdo anëtari, përfshirë edhe dy djemtë e shtëpisë. Babai kujdeset për mbarështimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit, për të cilat është mbështetur financiarisht vit pas viti nga AZHBR, nëna për prodhimin e bulmetit, ndërsa dy djemtë për rritjen dhe kujdesin ndaj bagëtive. Djathi, gjalpi dhe mjalti i tyre arrijnë çdo vit në Angli e në Francë, përmes shqiptarëve që jetojnë e punojnë aty, klientë besnikë të cilësisë së prodhimeve të kësaj familjeje punëtorësh”, u shpreh Krifca.

Ymeri i cili ka përfituar nga fondet e AZHBR-së thotë se prodhimi i tij ka njohur rritje nga viti në vit dhe aktualisht prodhon 12 kv mjaltë. Ai shprehet se ka aplikuar sërish këtë vit për të përfituar fonde për të ndërtuar stallën e re, që thotë se mund të kushtojë rreth 30 mijë euro. Ymeri u shpreh se aplikimi ishte i thjeshtë dhe i shpejtë. Drejtoresha e AZHBR-së e informoi atë se mund të përfitojë deri në 70% të shumës që i nevojitet për të ndërtuar. “Në programin IPARD fermerët mund aplikojnë te Masa 1, që është masa e investimeve në fermë dhe mund të mbështetesh deri në 70% të investimit. Shuma maksimale është 500 mijë euro”, tha Krifca.