Holanda ishte vendi i parë që e mbylli përfundimisht përpara kohe kampionatin dhe është i pari vend që hap dyert e stadiumeve për tifozët, edhe pse kjo do të jetë me disa rregulla të veçanta. Ai që e shpjegon këtë është vetë kryeministri holandez, Mark Rutte gjatë një konference për shtyp.

Rutte bëri të ditur se që nga muaji shtator me rifillimin e kampionatit do të hapen edhe stadiumet për tifozët, por në një numër të reduktuar në mënyrë që të respektohet plotësisht distancimi social mes tyre. Por masa më e çuditshme është se tifozët që do të kenë mundësi të ndjekin ndeshjet në stadium do ta kenë të ndaluar të këndojnë për të mbështetur skuadrën e tyre dhe do t’u lejohet vetëm të duartrokasin apo fërshëllejnë

‘Nëse tifozët në stadium do të këndojnë, atëherë zgjidhja është e thjeshtë; impiantet do të mbyllen sërish-tha Rutte-nëse bërtet apo këndon me shumë zë, mundësitë për përhapjen e virusit rriten ndjeshëm’
Eredivisie pritet të nisë në 12 shtator dhe qeveria holandeze pritet të japë shumë shpejt OK zyrtar për praninë e tifozëve në stadium. Por ndeshjet e para që duket se do të luhen me publik janë ato të përfaqësueses Holandeze në UEFA Nations League kundër Polonisë dhe Italisë, sfida që do të luhen në 4 dhe 7 shtator të këtij viti