Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave serbe ka qenë veprim i vullnetit të mirë për t’i dhënë shtysë procesit politik për betonimin e subjektivitetit të Kosovës. Ai i ka bërë këto komente në një interpelancë të thirrur në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje për të kuptuar arsyetimin e qeverisë Hoti për heqjen e kësaj mase. “Ne si qeveri nuk besojmë se masat e përkohshme politike që krijojnë barriera ekonomike ndërmjet vendeve mund të zgjidhin problemin politik me Serbinë. Unë ju siguroj se barrierat ekonomike dhe tregtare do t’i adresojmë përmes mekanizmave rajonalë dhe evropianë”, ka thënë Hoti.
Qeveria e kaluar e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, pati zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë me masë të reciprocitetit. Mirëpo kryeminisitri aktual, Avdullah Hoti, ka hequr të gjitha masat ndaj Serbisë, më 6 qershor, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ky proces është pezulluar prej vendosjes së taksës nga autoritetet e Kosovës në mallrat serbe, në nëntor të vitit 2018. Sipas Hotit, Kosova aktualisht ka mundësinë, që përmes procesit të ri dialogues të konsolidojë shtetësinë e saj, derisa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian e ka konsideruar momentum të ri.
Sipas tij, përfshirja e zyrtarëve amerikanë në këtë proces synon prodhimin e një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës e Serbisë. “Sot jemi në rrethana të reja, ku për herë të parë ne jemi jo vetëm aktorë por edhe protagonistë, në kuadrin që po ndërtohet te një marrëveshje, që në thelb ka njohjen reciproke në mes të të dyja vendeve”, ka thënë ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Zyrtarë të Kosovës dhe ata të Serbisë pritet të takohen në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun mes këtyre dy vendeve.
Liburn Aliu, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar vendimin e Hotit për reciprocitet, ndonëse ka thënë se diçka e tillë ka qenë e pritshme. “Kur për herë të parë në historinë e Kosovës u futën kamionë, në dokumentet e të cilëve shkruhej Republika e Kosovës, kur filloi një raport kushtëzimi me Serbinë, dhe kur shteti filloi të pozicionohej si i barabartë karshi Serbisë dhe kur u arrit të dërgohej ndihmë për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ndodhi ajo që nuk ishte e papritshme, u hoq reciprociteti”, ka deklaruar ai. Aliu e ka kritikuar qeverinë e Kosovës edhe për “heqjen dorë, me vullnet të plotë subjektiv nga anëtarësimi I Kosovës në organizata ndërkombëtare”./rel