Nga Alfred Peza
Të gjithë ata që kanë qenë të vëmendshëm, rreth prapaskenave të zhvillimeve politike të 30 viteve të fundit në Tiranë, e kanë pritur me indiferencë mbrëmjen e 31 majit. Sepse e kanë ditur nga përvoja e mëparshme, se arritja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës për reformën elektorale në tryezën e Këshillit Politik, ishte e pamundur. Jo teorikisht. As praktikisht. Por artificialisht. Është në ADN-në e opozitës shqiptare, që ti thotë JO çdo tryeze, çdo përpjekje për konsensus, çdo iniciative institucionale, kushtetuese dhe politike pothuajse në vijimësi përgjatë historisë së saj. Por, sidomos në shtatë vitet e fundit.

I ka thënë JO shumë reformave, për të cilat sot është penduar. I ka thënë JO shumë thirrjeve për të ndjekur rrugën brenda sistemit demokratik të vendit, për të cilat sot është penduar. I ka thënë JO dorës së shtrirë për tryezat e mëdha të dialogut të brendshëm politik për çështjet madhore me interes të përbashkët, për të cilat sot është penduar. I ka thënë JO dorës së shtrirë të partnerëve tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe aleatëve strategjikë, vetëm e vetëm për interesat e lojërave të saj politike të ditës, për të cilat sot edhe nëse nuk janë penduar të paktën e kanë kuptuar brenda vetes që kanë gabuar. Përfundimi është se sot “Opozita e Bashkuar” është jashtë pushtetit lokal, jashtë pushtetit qëndror, jashtë Parlamentit dhe në rrugë. Në udhëkryqin më të madh të historisë së saj të derisotme politike dhe në dilemën e madhe ekzistenciale, për të ardhmen.

Ajo e propoi në 2017 çadrën e “Republikës së Re” dhe kuptoi se me dredhi të tilla, nuk mund të rikthehesh në pushtet. E provoi në 2019 me flakët e molotovëve mbi institucionet më të rëndësishme të vendit, me protesta, “revolucione popullore” dhe bojkot të zgjedhjeve. Sërisht e provoi se as kështu, jo vetëm që nuk mund të rikthehej dot në pushtet, por as nuk mund të pengonte dot çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në këto kushte, një lojë e tillë si ajo që po vijohet të luhet ende edhe në tryezën e Këshillit Politik për reformën e re elektorale, është jo vetëm kundërproduktive nga pikëpamja e lojës politike për opozitën vetë në radhë të parë, por edhe e dëshme për vendin. Për qytetarin shqiptar. Për cilësinë e demokracisë në Shqipëri. Por edhe për raportet tona me aleatët strategjikë, që janë investuar kaq shumë për reformat e thella të shtetformimit tonë modern dhe proceset e integrimit euroatlantik.

Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim, deklaroi më 1 Qershor se ”të gjitha palët kanë treguar lëvizje dhe ato janë jashtëzakonisht të afërta. Ju vendoset një qëllim, ju vendoset një afat më 31 maj. Tani është koha që të ndaloni të insistoni në pozicione jo të zbatueshme dhe/ose vendosjen e kushteve të reja. Koha për ta mbajtur fjalën tuaj te qytetarët e Shqipërisë.” Pas kësaj, sëbashku me ambasadorët e BE dhe Britanisë, ajo zhvilloi takim në selinë e PD me Lulzim Bashën, pas të cilit duket që “Opozita e Bashkuar” u tërhoq nga pozicionet e saj “jo të zbatueshme” dhe nga vendosja e “kushteve të reja”.

Prova ishte njoftimi i bërë nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, të cilët kërkojnë mbledhjen e tryezës më 2 Qershor në ora 17.00 me qëllim siç thanë atë për “gjetjen e konsensusit” në mënyrë që kjo reformë të përmbyllet sa më parë. I kanë konsumuar të gjitha rrugët dhe i kanë provuar të gjitha dredhitë e tjera. U ka mbetur vetëm të gjejnë konsensusin!