Bashkëkryetari i mazhorancës në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri i ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 deklaroi se për implementimin e identifikimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme financimi do të bëhej nga qeveria shqiptare dhe jo nga Bashkimi Europian.
Në rast se kjo teknologji nuk do të funksionojë, sipas tij gjithçka do kthehet tek një plan B.
“Nuk përmbyset asgjë. Procesi vazhdon normalisht, vazhdon manualisht. Nëse nuk funksionon teknologjia ka gjithmonë ka një plan B. Ne do bëjmë çmos që ta financojmë në kohë, të bëjmë edhe procedura të përshpejtuara tenderimi. Mendoj që edhe mund të implementohet por nëse vonohet votimi i ligjit…pra të mos përdoren taktika politike.. Procesi i identifikimit biometrik do të financohet nga qeveria e Shqipërisë dhe jo nga Bashkimi Europian”,- tha ai.
I pyetur për pikën që mazhoranca ia refuzon opozitës, Gjiknuri u shpreh: “Opozita nuk mund të ketë dhe depolitizim dhe politizim. S’mund të ketë proces politik dhe t’i quajmë të depolitizuar. Është standard i ODIHR”,-vijoi ai.
Zv.kryredaktori i Panorama, Aristir Lumezi duke komentuar situatën, tha se “Nga angazhimi shumë i madh i ambasadorëve unë si qytetar u ndjeva keq, që në 2005 kur kanë filluar rekomandimet e OSBE-ODIHR ishte vetëm OSBE që negocionte, ndërsa tani në 2020 ndërhyjnë tre ambasadorë, madje i thërrasin edhe në selitë e tyre. Është shumë fyese për nivelin ku ka ardhur politika jonë. Ka mungesë liershipi”.