IKMT vijon me kontrollet në plazhe e hapësira publike për të verifikuar ndërtime pa leje, të ngritura në kundërshtim me ligjin apo rregullave teknike. IKMT njofton se gjatë kontrollit të kësaj jave janë verifikuar 11 ndërtime pa leje në linjën e bregdetit në Dhërmi. Këto 11 objekte pa leje janë prishur, ndërsa ndaj pronarëve janë marrë masa administrative.

Njoftimi i plotë: Dhërmi – IKMT prish 11 objekte të ndërtuara pa leje, ngritur në rërë IKMT, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ushtruan kontrolle në plazhe e hapësira publike në bazë të planit të masave të hartuara enkas për sezonin turistik veror. Gjatë kësaj jave është verifikuar linja e bregdetit në Dhërmi ku u konstatuan 11 ndërtime pa leje, të ngritura në kundërshtim edhe me rregullat teknike, pasi ishin vendosur në rërë.

Ndaj këtyre objekteve është ndërhyrë me mjete duke i prishur, ndërsa ndaj pronarëve abuzivë janë marrë masa administrative dhe kryer veprimet procedurale për ndërtime në kundërshtim me ligjin. IKMT dhe Policia e Shtetit vijon punën evidentimin dhe parandalimin e shkatërrimit të mjedisit qoftë përmes ndërtimeve pa leje, ashtu edhe me hedhje inertesh. Ky aksion do të shtrihet në gjithë bregdetin dhe kudo ku ka ndërtime pa leje. Policia e Shtetit dhe IKMT fton çdo qytetar të denoncojë shkeljet në numrin falas 112 ose përmes Komisariatit Dixhital. #mbromjedisin