Inspektorati Shtetëror Shëndetësor vijon intensivisht kontrollet dhe monitorimin në terre, ku vetëm në 24 orët e fundit janë realizuar 1820 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit. Janë marrë 6 masa administrative me gjobë në markete, bar kafe, furra buke, klinika dentare, parukeri etj, në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos marrë masat dhe moszbatuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen ndaj COVID19 të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nga inspektimi në terren janë marrë 2 masa administrative në qarkun e Tiranës, 3 masa administrative në qarkun Durrës dhe 1 masë administrative në Fier.

Inspektorët shëndetësor po vijojnë punën në terren me zero tolerancë ndaj çdo subjekti dhe gjatë kësaj periudhe të epidemisë që prej muajit Marsi, janë inspektuar dhe monitoruar mbi 76 mijë subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur mbi 300 masa administrative. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.