Çështja Lautaro, (kështu të paktën preferojnë ta përkufizojnë në Spanjë), pasurohet me një kapitull të ri. E shton e përditshmja katalanase Mundo Deportivo, që pa shumë lojëra fjalësh hidhet në një sulm frontal ndaj administratorit të deleguar të Interit Beppe Marotta, duke i konsideruar si të pavërteta deklaratat e tij në lidhje me klauzolën e zgjidhjes së kontratës të sulmuesit argjentinas. Duke cituar burime të brendshme në klubin e Barcelonës, që sipas medias spanjolle janë konfirmuar dhe nga njerëz të afërt të Lautaro Martinez, përgënjeshtrohet afati i skadencës së klauzolës që sipas Marottës është në 7 korrik, duke e cilësuar këtë lëvizje të drejtuesit interist si një tentativë për të ushtruar presion ndaj Barcelonës.
Mundo Deportivo, një media historikisht shumë pranë klubit blaugrana këmbëngul që skadenca e mundësisë së zgjidhjes së njëanshme të kontratës duke paguar klauzolën është në 15 korrik, duke shtuar se Barça avancon me qetësi drejt asaj që e quan konkludimin natyral të çështjes. Lautaro, gjithmonë duke ju referuar Mundo-s, do të jetë një lojtar i Barçës, por nuk do të paguhet 111 milionë euro, sa edhe është shifra e klauzolës në fjalë, sipas saj për Interin do të shkojnë maksimumi 70 milionë euro, plus kartoni i Junior Firpo. Ky është pozicionimi i klubit katalanas, por krejt ndryshe është ai i Interit. Tonet po bëhen gjithnjë e më të ndezura, ndërkohë që vetë protagonisti i çështjes, Lauraro mbetet i fokusuar vetëm te impenjimet e ardhshme me zikaltërit. Dhe kjo është ajo që ka rëndësi për momentin edhe për trajnerin Conte.