Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje sot një tjetër investim me rëndësi për infrastrukturën vaditëse të tokave bujqësore që ka nisur në jug të vendit, për sistemin e ri vaditës të rreth 5 mijë ha tokë bujqësore në fushën e Shalsit, Vrinës, Mursisë dhe të Bufit. Kryeministri tha se, “paralelisht me sistemin e ri modern dhe rehabilitimin e rreth 100 km kanal, projekti do të mundësojë edhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore të zonës”.

Përmes një kredie 10 milionë euro të marrë nga Banka Botërore, qeveria shqiptare do të rehabilitojë sistemin e Janjarit në Konispol. Në prezantimin e këtij projekti, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi tha se “kjo është një nga veprat më të mëdha ujitëse të Shqipërisë”.

“Ne sigurisht që vazhdojmë të mbajmë premtimin e madh që kemi bërë që do të çojmë ujë në çdo parcelë dhe sistemi i Janjarit me një kapacitet ujitës rreth 5 mijë ha të gjithë zonës do të mbulojë përfundimisht ujitjen e fushave të Shalsit, Vrinës, Mursisë dhe të Bufit. Janë të gjitha këto grup fushash që do të mbulohen nga rreth 20 milionë metër kub ujë, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet gjithë këtij sistemi që do të rehabilitojmë”, tha Çuçi.

Ai tha se “ky është një nga investimet më të mëdha në vepra të tilla”. “Është shumë ambicioz dhe shoqërohet edhe me përmirësimin e infrastrukturës rrugore për shkak të gjithë aksesit që duhet të ketë në gjithë rrjetin prej 100 km. Janë 100 km kanale të cilat do të rehabilitohen nga ky projekt”, tha Çuçi.

Punimet parashikohet të përfundojnë pas 8 muajsh. Ky projekt parashikon të realizojë një kombinim të dy tipeve të ujitjes: 1) ujitjen me presion (me tubo metalike); 2) ujitjen me gravitet (kanale të hapura) duke shfrytëzuar disnivelin natyral të cilin ka kanali i Janjarit me fushat e Shalësit, Mursisë, Vrinës dhe Bufit.