Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së. Ai në një letër drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozicionin e Osmanit. Ai ka thënë se në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni.

Sipas tij, ajo vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit aktual i cili përbën Qeverinë Hoti. Mustafa thotë se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ka. “Si Kryetar i LDK-së e kam për obligim të kujdesem për zbatimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht për zbatimin e vendimeve të organeve të LDK-së. Ju përkujtoj se Statuti i LDK-së në nenin 14, pika 14.2 shprehimisht thotë: ‘Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-së, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë’. Organet e LDK-së, sipas Statutit janë: Kuvendi i LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryetari i LDK-së dhe Kryesia e LDK-së; pastaj Forumi i Gruas së LDK-së dhe Forumi Rinor i LDK-së”, thuhet në letrën e Mustafës.

Mustafa ka kërkuar që anëtarët të votojnë sot deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike për shkarkimin e saj.