Italia ka nisur një aplikacion për smartfonët, që dërgon një mesazh për të paralajmëruar qytetarët nëse ndodhen në afërsi të dikujt që është i infektuar me koronavirus. ‘’Aplikacioni i softuerit është në dispozicion dhe mund të shkarkohet falas”, theksoi Ministria e Shëndetësisë. Funksionet e aplikacionit do të aktivizohen më 8 qershor, fillimisht në Abruzzo, Liguria, Marche dhe Puglia, përpara se të vihen në dispozicion në rajone të tjera.

Aplikacioni, i quajtur ‘’Immuni’’, është i bazuar në teknologjinë Bluetooth dhe është zhvilluar nga një kompani me qendër në Milano. Italia u prek thellë nga pandemia që u shfaq në shkurt, me Lombardinë epiqendrën e epidemisë. Deri më 1 qershor, Agjencia e Mbrojtjes Civile raportoi 33 475 vdekje nga virusi dhe 233 000 raste infektimi. Ministria e Shëndetësisë siguroi qytetarët se aplikacioni ishte zhvilluar në përputhje me ligjet europiane dhe italiane për mbrojtjen e të dhënave, pasi aktivistët kishin shprehur shqetësimin në lidhje me privatësinë.