Nga Alfred Peza/
Pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës, për reformën e re elektorale, shumëkush po vrapon për të gjetur detajet që justifikojnë qëndrimet e tyre, pro ose kundër njërës a tjetrës palë në këto tri vitet e fundit. Shumëkush ndërkohë ka mbetur mbetur pa film, ndaj nuk po gjen dot as fjalët e duhura me sa duket, për të treguar nëse u gëzuan apo u hidhëruan nga e gjitha kjo.
Këto tri vite deri në formulimin e draftit final të marrëveshjes, kanë qenë të mbushura me zhvillimet politike nga më të jashtëzakonshmet e tri dekadave të postkomunizmit në Shqipëri. Të shoqëruara edhe me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 e pandemisë globale, e bëjnë këtë mandat qeverisës së mazhorancës socialiste, unikal për nga kompleksiteti i vet dhe sfidat që është dashur të përballohen.
Përtej bilanceve numerikë se sa fitoi mazhoranca apo se çfarë humbi ajo në fund të këtij procesi. Përtej llogarive matematike se çfarë fitoi opozita dhe se çfarë la ajo rrugës në raport me premtimet e liderëve të saj gjatë kësaj periudhe. E përtej faktit se në një marrëveshje si kjo nuk ka asnjëherë të humbur por veç fitues dhe se më i madhi prej tyre është populli shqiptar, më duhet të them që në fillim se opozita ka arritur një fitore të madhe.
Opozita shqiptare ka fituar mundësinë e papërsëritshme për një fillimi të ri në jetën politike të vendit. Një shprehje e njohur thotë se kurrë nuk mund të kesh një mundësi të dytë, për të bërë një përshtypje të parë. Opozitës shqiptare si rrallëkujt në botën demokratike, po i jepet për herë të dytë edhe një mundësi, për tia rinisur nga e para. Një mundësi e artë, për tu rikthyer “në rrugën e Zotit”, të cilën ajo e ka braktisur prej afër një viti e gjysëm.
Pas kësaj, e sigurtë është vetëm se nuk do të ketë edhe një mundësi të tretë, për tia filluar sërisht e sërisht nga e para. Sepse “e treta e vërteta” ekziston vetëm në rregullat e pashkruara të lojërave për fëmijë. Por jo në dinamikën historike të zhvillimeve globale, rajonale, proceseve ndërshqiptare dhe sfidave të integrimit euratlantik të vendit. Ndaj kjo duket të jetë jo vetëm mundësia e dytë, por edhe fundit për liderët e opozitës shqiptare, për tia rinisur nga e para!
Opozita ka fituar mundësinë për tu rikthyer në sistemin demokratik të vendit, e për ta vijuar lojën e saj politike brenda në Parlament. Brenda në institucionet kushtetuese të vendit. Brenda pushtetit qëndror. Brenda pushtetit lokal. Duke e braktisur njëherë e përgjithmonë aventurën e çmendur të rrugës së bojkotit të gjithçkaje, me ëndrrën se vetëm kështu do ta detyronin sistemin e rregullave të lojës në demokraci, për ti fituar me një dorë të gjitha njëherësh.
Opozita ka fituar mundësinë për të kuptuar se reforma në drejtësi është e pathyeshme, e pa zhbëshme dhe e pa bllokueshme. Ndaj u mbetet vetëm ta pranojnë, edhe duke mos e dashur. Të mos e pengojnë, edhe duke mos e mbështetur. Le ti luten Zotit që bëmat dhe gjëmat e tyre me pushtetin politik në këto 30 vjet, të mos jenë aq sa të detyrohen në fund që ti nënshtrohen, si gjithë mëkatarët e tjerë.
Opozita ka fituar mundësinë e papërsëritshme për të braktisur njëherë e përgjithmonë rrugën e bojkotit të të gjitha reformave të tjera të rëndësishme të këtij vendi. Opozita ka fituar mundësinë për të braktisur njëherë e përgjithmonë rrugën e rrugës. Opozita ka fituar mundësinë për të braktisur atë rrugë që të çon gjithkund, përveçse tek kryeëndrra e gjithë atyre që e ushqyen atë, sepse ajo nuk të rikthen dot kurrë në pushtet.
Opozita ka fituar mundësinë për të mos e gënjyer më veten dhe gjithë të vetët, se pushteti në këtë sistem mund të fitohet edhe në tavolinë. Opozita ka fituar mundësinë për të reflektuar thellë, për të punuar shumë, për tu organizuar deri në perfeksion, për tu mobilizuar maksimalisht, për tu bërë gati për betejat elektorale të radhës duke patur mundësinë që të rikthehet në pushtet, vetëm e vetëm përmes votës së shqiptarëve.
Ndaj më shumë sesa fitore për integrimin europian të Shqipërisë, për standardin e zgjedhjeve, për mazhorancën, për ndërkombëtarët dhe për shqiptarët, marrëveshja për reformën e re elektorale, është një kryefitore për vetë opozitën. Ky është topi që ndodhet sot në dorën e Luli Bashës. Urojmë që të mos ia çajnë, para se të mbarojë loja!