Ekspertët kanë paralajmëruar përdoruesit e celularëve me sistem operativ Android që të mos instalojnë në pajisjen e tyre një aplikacion të rrezikshëm. Bëhet fjalë për aplikacionin VivaVideo, me anë të të cilit mund të modifikosh video të ndryshme. Jan Youngren, ekspert i VPNPro, tha për “Daily Mirror” se ky aplikacion kërkon shumë leje që janë të panevojshme për një aplikacion që modifikon videot.

“VivaVideo ju kërkon leje për të lexuar dokumente në pajisjen tuaj dhe leje për të ditur vendndodhjen tuaj. Microsoft e ka cilësuar këtë aplikacion si virus, që përmban një Trojan që njihet si AndroidOS/AndroRat. Këto lloje mund të hyjnë në llogarinë bankare të njerëzve ose në fondet e tyre në PayPal”, tha eksperti. Aktualisht, VivaVideo ka 100 milionë shkarkime në Play Store.