Kina ka filluar vaksinimin nga koronavirusi. Vendi nga i cili shpërtheu virusi, botërisht i njohur nga janari i këtij viti, është i pari që i ka dhënë “dritën jeshile” shpërndarjes së vaksinës kundër pandemisë që bllokoi me muaj të tërë mbarë botën, duke shkaktuar më shumë se gjysmë milion viktima.
Vaksina u prodhua nga kompania CanSino dhe ka filluar të injektohet tek ushtarët kinezë me leje të Komisionit Qendror ushtarak të Pekinit, nga data 25 qershor.
Për arsye privatësie komerciale, nuk bëhet i ditur numri i ushtarëve të përfshirë, por autoritetet kineze janë shumë optimistë për vaksinën, dhe kanë përshpejtuar fazën 3 që parashikon testimin tek disa mijëra persona për të parë efektet dytësore, duke u përqendruar tek përdorimi ekskluziv të forcave të armatosura.
Sipas Pekinit, që ka botuar rezultatet e studimit mbi vaksinën e tyre në revistën prestigjioze “The Lancet”, bëhet fjalë për një produkt të sigurt që zgjat një vit. Vaksina ka përdorur metodën e vektorit viral, ku një virus jo i rrezikshëm të cilit i është shtuar një fragment ADN artificiale shpërndahet në organizëm, duke e ndihmuar atë për të identifikuar koronavirusin e ri dhe aktivizuar imunitetin e organizmit.