Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se është shumë i lumtur që futbolli është rikthyer dhe se ai do të jetë në gjendje ta shikojë përsëri, siç e quan, ekipin e vet të mrekullueshëm, i cili është duke i bërë përgatitjet për rikthimin e Premierligës më 17 qershor.
Skuadra e Kloppit është në krye të renditjes tabelore në Premierligë me 25 pikë më shumë se përcjellësi i parë dhe është në kërkim të titullit të parë në ligë pas plot 30 vjetëve, transmeton Gazeta Express.
Sezoni në Premierligë u pezullua më 13 mars për shkak të pandemisë koronavirus.
“Është e pabesueshme sa shumë më ka munguar. E di që nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë, por është pasioni im. Shpresoj se njerëzit mezi presin, sepse ne mezi po presim”, tha Klopp për BBC.
Liverpooli mund ta fitojë titullin nëse e fiton ndeshjen e parë pas rikthimit dhe Manchester City humb ndaj Arsenalit më 17 qershor, por Klopp thotë se skuadra e tij ende ka shumë punë për të bërë.
“Është mirë të mendosh për këtë, por ne ende nuk jemi kampionë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Duhet t’i zhvillojmë ndeshjet dhe t’i fitojmë ato”, shtoi ai.