Napoli po përballet me konkurrencë të fortë, pasi yllin kosovar e duan klubet e mëdha evropiane, por napolitanët nuk dorëzohen assesi për futbollistin vushtrrias Klubet evropiane vazhdojnë ta ndjekin me kujdes situatën e Milot Rashicës.

Njëri prej klubeve të njohura që e do yllin kosovar është edhe Napoli. Mediat italiane shkruajnë se klubi napolitan e ka në shënjestër futbollistin e Werder Bremenit. “Radio Marte” raporton se 23 vjeçari mund ta vazhdojë karrierën në Itali dhe e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me stadiumin “San Paolo”. Gjithashtu, përfaqësuesin kosovar e pëlqen edhe Lazio në Itali. Në Angli, ish-futbollistin e Vushtrrisë e duan Liverpooli, Aston Villa e Wolverhamptoni.

Kurse, në Gjermani atë e pëlqejnë Leipzigu dhe Borussia Dortmundi. Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022. Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është 38 milionë euro. Por, nëse Bremeni bie nga liga, kjo shumë do të bie dukshëm. Aktualisht, futbollisti ofanziv është i lënduar, por Werderi shpreson që ta ketë atë në dispozicion në ndeshjen e fundjavës me Paderbornin. Rashica i ka realizuar 10 gola këtë sezon deri tash, por fatkeqësisht nuk e ka gjetur golin në Bundesligë në vitin 2020.