Krijimi i Kosovës si një përfaqësuese më vete ka bërë që shumë lojtarë shqiptarë nga Kosova të bëjnë një tjetër zgjedhje dhe të mos veshin fanellën kuqezi. Kjo automatikisht ka ulur numrin e tyre në Kombëtaren e Shqipërisë, megjithëse do të vazhdohet gjithmonë që të ketë përfaqësues edhe nga kjo trevë e Shqipërisë. Ndërkohë Elvis Sina, që është pjesë e ekipit zinxhir të moshave te kuqezinjtë, ka treguar në një intervistë për “Fax Sport” edhe projektin e trajnerit Reja.
Për herë të parë kemi Shqipërinë që praktikon të njëjtin model ashtu si edhe Kombëtaret e mëdha, që skemën e lojës dhe idenë që ka Shqipëria A, do të ndiqet që nga grupmoshat. “Situata me talentet? Kemi shumë prurje edhe nga akademitë në Shqipëri, por sigurisht që edhe shqiptarë që luajnë në ekipe jashtë vendin tonë, që kanë dëshirë të veshin fanellën kuqezi. Lojtarët shqiptarë me origjinë nga Kosova? Situata ka ndryshuar, kemi më shumë prurje të shqiptarëve nga Shqipëria që jetojnë jashtë vendit. Sigurisht që nuk është se nuk kemi më lojtarë shqiptarë nga Kosova, pasi shqiptarë jemi të gjithë. Me moshat po vazhdojmë një punë intensive, me seleksionimin e futbollistëve që shihen si e ardhmja e Kombëtares. Të them të drejtën për Kombëtaren mendoj se ka ardhur momenti për një rinovim, pasi shumë futbollistë kanë ardhur në fundin e karrierës së tyre. Futbolli është me etapa dhe është nevoja për rifreskim.
Trajneri Reja ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ka shumë profesionalizëm. Ajo që kërkon Reja nga ekipet e moshave është që të punohet sipas bazës që ai ka krijuar. Pra në të njëjtën mënyrë të stërvitjes, në të njëjtën mënyrë të lojës dhe skemës ashtu si edhe praktikon ai në Kombëtaren A. Lojtarët duhet të mësohen që te U-15 që kur të shkojnë në ekipin e parë, atëherë ta kenë më të lehtë. Kjo është e mirë pasi trajneri ka në kokë një projekt që duhet të ndiqet nga të gjithë”, tha Sina.