Sonte, La Liga fillon përsëri, me ndeshjen Sevilla-Real Betis. Pastaj, mbrëmjen e së dielës, do të jetë radha e Real Madridit, i angazhuar kundër Eibar. Midis protagonistëve të shkëlqyeshëm është edhe Toni Kroos, strumbullari i mesfushës së Zidane në tre Champions-it e fituar radhazi. Në të njëjtën mënyrë, gjermani mbetet i paprekshëm në garat e tjera, me “Zizou” në pankinë.

Duke folur për DAZN, disa orë para kthimit në fushë, pas tre muajve pushim të detyruar për shkak të Coronavirus, mesfushori tha: “Natyrisht, të luash pas dyerve të mbyllura është ndryshe, por do të duhet të përshtatemi me këtë realitet të ri. Ne do të duhet të gjejmë intensitetin e duhur, edhe nëse ndeshjet mund të na duken si stërvitore. Do të duhet të jemi të gatshëm”.

Ish-lojtari i Bayern Munich, i cili mbërriti në Madrid në vitin 2014, foli edhe për menaxhimin teknik të Zinédine Zidane: “Unë nuk mendoj se duhet të demonstrojë asgjë tjetër, që ai të kosniderohet shumë i suksesshëm si trajner. Ekzistojnë automatizma që janë vetëm të tij, në stërvitje ose në përgatitjen e lojës. Këto gjëra kanë mbetur të njëjta, sepse në të kaluarën (eksperiencën e parë si trajner i të bardhëve) e kanë çuar atë drejt suksesit”.

Real Madridi e rifilloi kampionatin me 56 pikë në 27 ndeshjet e para, 2 pikë më pak se Barcelona, ​​në garën për të fituar titullin. Ky është synimi minimal, sipas Kroos: “Unë nuk mendoj se është një sezon i keq për Realin. Të paktën ky është më i mirë se i kaluari. Tani duhet të punojmë për të pasur vazhdimësi. Nëse e bëjmë këtë, do të kishim mundësi të shkëlqyera për të fituar titullin. Nëse nuk e fitojmë kampionatin, sezoni nuk mund të konsiderohet i suksesshëm”.