Shkollat në Itali do të rihapen më 14 shtator. Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri italian, Giuseppe Conte, ku ka lajmëruar se më 14 shtator të gjithë nxënësit do të rikthehen në shkolla, të cilat që prej marsit janë mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19. “Shkollat do të rihapen në këtë datë me një sërë masash, që supozohet të garantojnë distancimin shoqëror dhe sigurinë maksimale”, tha Conte gjatë një konference për shtyp.
“Shkolla është në qendër të politikës së qeverisë. Qeveria ka punuar shumë me botën e arsimit në tërësi, për të përcaktuar udhëzime për rihapjen e shkollave”, siguroi ai. “Ne jemi më të përgatitur me udhëzimet, për t’u kthyer më të sigurt në shtator. Kemi vënë në dispozicion një miliard euro shtesë për investime të mëtejshme në shkolla, të cilat do të na lejojnë të kemi një shkollë më moderne, më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse. Dhe në ;Fondin e Rimëkëmbjes; një kapitull i rëndësishëm do t’i kushtohet ndërhyrjeve në shkolla’- tha kryeministri italian.
“Mbyllja e shkollave ishte një zgjedhje shumë e dhimbshme dhe askush të mos mendojë se qeveria e pati të lehtë ta merrte. Ne duam klasa më pak të mbushura, nuk tolerojmë klasat e tejmbushura me nxënës”- shtoi më tej Conte. Direktivat e Ministrisë italiane të Arsimit parashikojnë një sërë masash për të parandaluar infektimin me COVID-19, përfshirë hyrje dhe dalje me radhë, klasa të veçanta për grupmosha të ndryshme nxënësish, orë mësimore 40-minutëshe në vend të 60, pjesërisht arsim në distancë, etj. Që nga nisja e pandemisë në Itali kanë humbur jetën si pasojë e virusit vdekjeprurës 34.708 persona dhe janë infektuar ne total 239.961 persona.