Nga Mero Baze
Presidenti Ilir Meta ka çuar sot një emër të ri në Kuvend, si kandidat për kryetar të Kontrollit të Shtetit. Prej fillimit të këtij procesi një vit më parë, presidenti Ilir Meta ka shkelur me të dy këmbët detyrimet kushtetuese në këtë çështje, duke u tallur me emrat që përcjell në Kuvend, dhe duke paralizuar kësisoj emërimin e kryetarit të ri.
Kryetarit të vjetër i ka mbaruar mandati qysh vitin e shkuar. Ai ka ikur nga detyra për tri muaj, pastaj është rikthyer sërish, nën presionin se kishte braktisur detyrën, duke e bërë dhe më konfuze situatën.
Arsyeja e kësaj krize është se presidenti refuzon të zbatojë detyrimin kushtetues për konsultim paraprak me shumicën, për emrin që duhet të zgjidhet.
Në vitin 2012, kandidati për Kontrollin e Lartë të Shtetit, Sali Shehu, u refuzua nga shumica e atëhershme PD-LSI, me argumentin se presidenti nuk kishte zhvilluar më parë konsulta me shumicën parlamentare për emrin, sipas detyrimit kushtetues. Pas kësaj, presidenti i asaj kohe propozoi Bujar Leskajn, për të cilin kishte konsultime paraprake dhe miratim nga Partia Demokratike.
Gjykata Kushtetues e Shqipërisë ka së paku katër vendime që flasin për nevojën e konsultimit mes dy institucioneve për emrat që do të miratohen, kur njëri institucion propozon, e tjetri vendos. Në këto raste përfshihen gjyqtarë të lartë, krerë institucionesh, kryetar SHISH-i etj.
Rasti klasik është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Të dy institucionet kanë kompetenca substanciale në emërimin e kryetarit të KLSH. Njëri është propozues dhe tjetri miratues, dhe asgjë nuk mund të bëhet pa u konsultuar paraprakisht.
Por presidenti aktual po e kthen detyrimin e tij kushtetues në një objekt shkëmbimi me shumicën, duke tentuar ta shkëmbejë me ndonjë favor prej saj.
Emrat që ka propozuar kanë qenë tërësisht propozime private të tij, dhe në shumicë, provokuese.
Që nga Vitore Tusha e deri tek kandidati i fundit, ke ose emra me begraund politik provokues, ose anonimë që njohin Ilirin, ose Monikën.
E gjithë kjo është në shkelje e detyrimit kushtetues që ka presidenti, për t’u konsultuar paraprakisht me shumicën për emrin, për të cilin duhet të bien dakord, pasi me këtë stil, njëra palë mund ta lërë atë institucion pa zgjedhur gjithë jetën.
Provokimi i sotëm i presidentit, është i katërti në radhë, dhe synon jo zgjedhjen e kryetarit të KLSH, por vazhdimin e karshillëkut për të shkëmbyer detyrimin kushtetues që ka për dakordimin paraprak për emrin, me pazare të tjera politike.
Nëse kjo situatë vazhdon, shumica aktuale ka vetëm një shans. Të ndryshojë ligjin e KLSH-së dhe Kushtetutën, për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kontrollit të Shtetit, duke krijuar nje mekanizëm zhbllokues, duke qartësuar procedurën se çfarë bëhet me KLSH-në, kur presidenti çmendet, si në rastin konkret, dhe nuk respekton frymën e Kushtetutës për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Propozimi i përfolur i shumicës për emërimin e një kryetari të përkohshëm nga brenda KLSH-së, deri në emërimin e ri, është një zgjidhje. Por më e mira do të ishte një klauzolë detyruese në Kushtetutë për ta zhbllokuar këtë krizë, në rast se presidenti nuk bashkëpunon për tre emrat e parë që propozon, ose diçka të ngjashme, siç është bërë klauzola zhbllokuese për zgjedhjen e presidentit.
Pasi kjo Kushtetutë është bërë duke parashikuar raporte normale institucionale dhe nuk ka parashikuar që presidenti çmendet dhe nuk ç’dekreton ministra që shkarkohen, si Ditmir Bushati, nuk dekreton ministra që emërohen, si Lleshi apo Cakaj, dhe nuk konsultohet për të emëruar kreun e një institucioni, ku ai dhe pala tjetër, kanë kompetenca të barabarta.
Kushtetuta jonë e ka detyrim të parashikojë dhe marrëzitë, derisa nuk jemi vend normal.