Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA (do të mblidhet në datën 17 qershor dhe vendosë fatet e sezonit në Kupat e Europës) i intervistuar nga “Punto Nuovo Sport Show” ka përgëzuar rifillimin e futbollit italian: “Jam i lumtur që Italia kthehet të luajë me një ndeshje të madhe: Juventus-Milan. Të shpresojmë që të mbyllet kampionati në kohë, pasi rregullat në Itali janë të forta pak…”.

Sa i përket idesë “Final 8” në Lisbona – Champions League – kreu i FSHF tha: “Kam lexuar në gazeta! Deri tani nuk ka vendim. Grupet po punojnë, por ende nuk kanë ardhur dokumentet. Në 17 qershor do të merret vendimi final. Ka shumë diskutime në fakt. Një nga të cilat është e ardhmja e Champions, mendohet të luhet një ndeshje e vetme dhe jo dy, flitet për Nations League në shtator, tetor dhe nëntor”.

“Nuk ka asgjë zyrtare, unë qëndroj në Stamboll (qesh). Gushti do të jetë muaji i Champions League, edhe ai i kualifikimeve për sezonin tjetër, ndoshta me ndeshje teke, ashtu si për Europa League”. “Riformimi i Champions? Një ndryshim për kualifikimet e ardhshme mund të vijë me ndeshje teke nga çerekfinalet e tej”.

Nëse turet kualifikuese për Champions 2020-2021 do të jenë me ndeshje teke, siç edhe hipotizohet, atëherë Tirana (nëse shpallet kampion) ka shanse të mëdha në 90, 120 minuta apo penallti. Sakaq, edhe Europa League (me 3 ekipe shqiptare që do të na përfaqësojnë) mund të jetë në të njëjtën mënyrë: pra, supershans me ndeshje të vetme!