Kampionati ia lë “skenën” Kupës së Shqipërisë. Më konkretisht, ndeshjeve të para çerekfinale të kompeticionit të dytë për nga rëndësia kombëtare. Tetë skuadra do të vijojnë betejën për ta fituar këtë trofe, i cili veç të tjerash vlen edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në këtë raund kanë “mbijetuar” edhe dy skuadra të Kategorisë së Parë, sikurse është Apolonia, e cila do të mundohet t’iu nxjerrë punë verilindorëve të Kukësit, dhe Besëlidhja, që likujdoi Partizanin. Lezhjanët do të mundohen të surporizojnë një tjetër emër të madh të kryeqytetit e futbollit shqiptar, Tiranën.
Skënderbeu, që po bën mjaft mirë në kampionat, edhe pse nuk luan dot në Europë, për shkak të dënimit 10-vjeçar, do t’i masë forcat me ballshiotët. Të dyja skuadrat kanë egon për të vazhduar më tej. Sa iu përket “valencave” të dy palëve, dueli Vllaznia-Teuta mund të jetë më interesanti i këtyre çerekfinaleve. Shkodranët me trajnerin e ri, Hysen Dedja, janë mjaft të karikuar, por duhet të mundin një shkodran tjetër, në stolin e durrsakëve, Edi Martini. Kujtojmë se sfidat e kthimit, kur do të përcaktohen edhe gjysmëfinalistët, do të luhen më 24 qershor.
Ndeshjet e sotme, ora 17:00
FK Apolonia – FK Kukesi
KF Bylis – KF Skenderbeu
KF Vllaznia – KF Teuta
KF Tirana – Besëlidhja