Nga Elda Shabani
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet, veshja e Mbretëreshës Pop, Madona me këngën hit të vitit 1986 ‘Baba Mos Prediko’, ruan sot të njëjtën freski si dhe stil. Në videon muzikore Madonna luan rolin e një vajze të re e cila me stilin klasik por të thjeshtë të bluzës Breton dhe një xhaketë lëkure të zezë, e me një qëndrim të shpenguar përsërit frazën “ Baba, mos prediko, unë e kam ndarë mëndjen,” e cila u bë refren i një gjeneratë të re tërësisht rebele dhe liberale në amerikën e viteve ‘80. Si gjithmonë ajo do të ishte në qëndër të shumë kritikave dhe debateve të nxehta, pasi përmbajtja e këngës, u interpretua si një model jo i mirë për vajzat e reja duke i nxitur të mos lejojnë prindërit, shkollën dhe askënd të ndërhyjnë në jetën e tyre. Por Madonna i kundërshtoi këto zëra duke thënë se “Kjo këngë është për një vajzë e cila po merr një vendim të rëndësishme në jetën e saj. Ajo ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me babanë e saj dhe dëshiron ta ruajë këtë raport. Në fund ajo lufton për dashurinë që ka për babain dhe të dashurin e saj dhe skena e fundit është një moment përqafimi midis babait dhe vajzës. Ky ishte mesazhi i një vajzë të re amerikane, e cila prirej të nxirrte në pah individualizmin.
Besoj nuk është rastësi që Madona në këtë vidioklip të shfaqej me të njëjtën bluzë me vija Breton ( uniformë e marinës franceze) si ajo Channel, ikona e modës, për të përfaqësuar femrën e lirë dhe të guximshme.Vet Channel, ra në dashuri me këtë stil, kur ajo ndodhej në brigjet franceze dhe nga ku shijonte panoramën e detit dhe heshtjen e peshkatarëve me bluzën me vija bardhë e blu, në varkat e vogla të tyre.
Më pas ajo e legjitimoi atë si veshje për zonjat që duan të ndjekin modën. I magjepsur pas detit dhe figurës së peshkatarit ishte edhe autori i letërsisë klasike, E.Hemingway. Tek Plaku dhe deti, Peshkatari i moshuar Santiago, fytyrërrudhosur nga dielli e megjithatë sytë e tij blu shprehin ëmbëlsi dhe shkëlqim, është heroi i cili u bë simboli i vullnetit të fortë, lirisë dhe i guximit.
Stili detar apo marinë, gërsheton së bashku politikën, luftën, kohën e lirë, aventurën e detit tregtinë, dhe sportin për të treguar rëndësinë historike dhe kulturore. Por sigurisht nuk është vetëm letërsia e cila është magjepsur nga bukuria e misteri i detit, dhe me ata që kalojnë jetën duke lundruar në valët e oqeanit.Të gjithe jemi të dashuruar pas aventurave të heronjëve tanë në det, me forcën dhe shpitin aventurier dhe të lirë të tyre, me uniformën e marinarit, të piratit apo dhe bluzat me shirita blu… i tillë ishte Pikaso, i cili solli imazhin e një lundërtari në pikturën “Natën e peshkimit”në vitin 1939.
Veshjet e tyre frymëzuan stilist, nga Coco Chanel tek Alexander McQueen, dhe Malcolm McLaren & Kenzo e shumë të tjerë. Popeye(Popaj), një nga ikonat më të njohura të kulturës Pop, krijuar nga shkrimtari amerikan i romaneve vizatimorë, Elzie Crisler Segar u shfaq për herë të parë pikërisht më 17 janar 1929. Popaj apo ndryshe ”Krahu i hekurt”, me çibukun në gojë, me kapelen e marinarit, me uniformën e bardhë, me tatuazhin mbi krahun muskuloz, dhe gjithmonë në krah i qëndron e fejuara e gjatë dhe e hollë Olivia, u bë frymëzim për artist si Andi Warhol. Në vitin 1961 ai realizoi konceptin e “artit pop” me një koleksion pikturash duke përfshirë një pjesë me titull, ‘E Shtuna e Popaj”.
Por historia e vizave në veshje daton shumë më herët. Që nga Epoka e Mesjetës veshjet me shirita u përdoren nga klasat e ulëta: bufonët, xhelatët, prostitutat, të burgosurit, hebrenj, peshkatarët dhe detarët. “Chemise Breton”, ose këmishë marinari, në të vërtetë, origjinën e ka nga marinarët ose peshkatarët e Bretonit (një rajon në Francën veriore). Karakterizohej nga vija horizontale, e zezë dhe e bardhë ose blu me të bardhë, në mënyrë që të fshiheshin njollat e një pune të rëndë. Në vitin 1958, Marina Franceze adaptoi bluzën Breton si uniformë: Kishte saktësisht 21 shirita, një për secilën nga fitoret e Napoleonit.
Por shfaqja e stilit nautik i atribohet Anglisë Viktoriane të shek 19. Flota detare angleze ishte një nga më të fuqishmet në Europë. Si shenjë respekti për marinarët e guximshëm të flotës së saj, Mbretëresha Viktoria e veshi te birin, Princi i Uellsit në Jahtin Mbretëror me kostum marinari. Së shpejti, veshjet e stilit detar u shfaqën në dyqane dhe shpejt u bënë popullore.
Rreth fillimit te shek.19-të stili detar e mori formën e saj të përjetshëm tek zonjat e shoqërisë së lartë. Por Kalimi i këmishës me shirita nga uniforma e marinës në arenën e modës, filloi me vajzën kokëforte, Coco Chanel në vitet ‘20
Trendi marinë për herë të parë u shfaq natyrisht në plazh. Më pas bluzat e oficerëve të marinës, visheshin si uniforma shkollore dhe për sport dhe deri në vitet 1920 ato u bënë një trend i modës. Veshja detare dominoi gjatë periudhës të Luftës së Dytë Botërore. Të dhuroje një veshje të uniformës ushtarake, ishte një akt patriotik. Kjo përfshinte edhe marinën, natyrisht. Gjithashtu emra të njohur aktorësh, artistësh, intelektualësh dhe muzikantësh, si Jean-Paul Sartre, Pablo Picasso, Brigitte Bardot, Audrey Hepburn, Andy Warhol, James Dean dhe Kurt Cobain, kanë veshur bluzën Breton.
Sot, sezon pas sezoni dashuria jonë për detin e gjen rrugën e saj drejt koleksioneve verore të cilat kanë frymën dhe estetikën bregdetare. Një stil gati biblik, i përjetshëm megjithë evolimin si në dizajn ashtu dhe në formë, na sjellin sërish në det, me një elegancë dhe thjeshtësi detare.