Më datë 12 qershor do të nisin fluturimet e para me charter nga Bjellorusia drejt Shqipërisë. Lajmin e ka dhënë kompania e linjës ajrore në një postim në Facebook, ku tregon se me këtë linjë do të operohen fluturimet dy herë në javë, të martë dhe të premte. Me hapjen e kufijve, turistët do të vijnë për të vizituar Shqipërinë, e cila së fundi po përballet me një krizë të madhe në sektorin e turizmit nga pandemia.


“Miq, kemi një lajm të shkëlqyer. Nga 12 qershori fillon programi charter në Shqipëri! Nisjet 2 herë në javë, të Martën dhe të Premten. Të gjitha detajet jepen me operatorët turistikë”, thuhet në njoftim.
Sektori i turizmit është goditur keq pasi 70% e turistëve i kanë anuluar prenotimet dhe pjesa tjetër është ende pezull. Sipërmarrëst e kësaj industrie po përballen me periudhën më të errët, pasi dëmet janë shumë të mëdha, sidomos nëse përmendim zonat përreth Adriatikut që u goditën edhe nga tërmeti i 26 nëntorit. Mungesa e suportit nga qeveria është e dukshme edhe në deklaratat e pakuptimta të ministrit të Turizmit Blendi Klosi, për zgjatjen e sezonit turistik deri më 15 nëntor me qëllimin që bizneset të kenë mundësi të rikuperojnë të ardhurat që humbën nga ditët e karantinës në muajt prill dhe maj.