Kadastra e Vlorës është një nga institucionet më problematike në vend ku gjithmonë ka pasur ndryshime me drejtuesit e saj, e ndërsa kohët e fundit dorëheqja e drejtorëve është bërë shqetësuese. Lidhur me këtë situatë kreu i Kadastrës Artan Lame shprehet nga Himara se po heqim kusuret e 25 viteve talljeve dhe se do të dëgjoni përsëri lajme nga ai institucion. Lame ka lënë të nënkuptohet se së shpejti edhe Jurgen Pilkati do të largohet nga Kadastra.

Kujtojmë se Viola Hima është personi i fundit i dorëhequr më 2 qershor pas katër ditëve në krye të detyrës, duke i lënë vendin Jurgen Pilkati. “Kadastra e Vlorës është nga institucionet më problematike të vendit. Problematikat fillojnë që nga viti 94′ kur është krijuar për herë të parë ZRPP. Ne po heqim kusuret e 25 viteve tallje me këta njerëz. Pikërisht për këtë arsye procesi i regjistrimit nuk po bëhet nga Kadastra e Vlorës por nga ekipet tona nga Tirana. Në lidhje me Kadastrën e Vlorës do të dëgjoni sërish lajme”, u shpreh Lame.