Trajneri i Kukësit, Orges Shehi, nuk dihet nëse do të vazhdojë të jetë në krye të stolit. Ky i fundit ka folur pas humbjes kundër Laçit me rezultatin 2-0 dhe duket se shpresat e verilindorëve për titull janë shuar. Humbja – “Ishte një ndeshje e vështirë, e vuajtëm pak presionin e renditjes. Nuk ishim mirë gjatë lojës, nuk ishim aty ku kemi qenë. Jemi të pakënaqur. U munduam të hyjmë në lojë pas golit që pësuam, por pas golit të dytë u shpërfytyruam komplet”.
Sfida – “Donim të bënim performancë më të mirë sot, unë dhe lojtarët, donim të merrnim pikë. 9 pikë janë, nuk do të merremi me matematikën, por do të fokusohemi te ndeshja e Kupës”. Skema e lojës– “Dy qendërmbrojtësit u vunë në tension nga shpejtësia e Grecës dhe topi i dytë. Skuadra duhet të kishte reagim pas pësimit të golit. Pjesën e dytë e nisëm mirë, por goli i dytë na bëri të humbim toruan, aty mbaroi. Nuk është problem skemë, u përshtatëm mirë me Partizanin. Vuajtëm nga topi i dytë i kundërshtarit. Nuk fituam asnjë top të dytë, si në mbrojtje dhe në sulm”.
Largimi – “Strategjia do të jetë të rikthehemi dhe të bëjmë atë që kemi bërë në stërvitje. Nuk e mendoj nëse do të rri apo do të iki. Kjo është puna jonë, po ikën Mourinho, jo më po ikën Shehi. Sot nuk ishte Kukësi i vërtetë”.