Mbrojtësi francez, Clement Lenglet, ka insistuar se tani që bashkëlojtari i tij në Barcelonë, Lionel Messi, ka pushuar mjaftueshëm, tani është i gatshëm t’i ndihmojë Barcelonës edhe më shumë për t’i fituar titujt e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve. Trajneri Quique Setien është për momentin duke e përgatitur skuadrën e tij për rinisjen e sezonit 2019/20 të La Ligës, pas një pauze tremujore të detyrueshme shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, transmeton Gazeta Express. Barcelona ishte duke shkuar drejt titullit të tretë radhazi të La Ligës kur sezoni u ndërpre në mars, pasi e kishte krijuar një epërsi prej dy pikësh ndaj Real Madridit në krye të tabelës.
Kampionia në fuqi spanjolle ka gjithashtu mundësi ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2015, përderisa UEFA është duke punuar për të gjetur vend në kalendar për kompletimin e këtij sezoni të kësaj gare. Messi dhe bashkëlojtarët e tij në Barcelonë u kthyen në stërvitje muajin e kaluar, pasi edhe stërvitjet ishin pezulluar në mars. Por, Lenglet thotë se argjentinasi ka përfituar nga kjo pauzë dhe tani mezi po e pret kthimin në fushën e lojës më 13 qershor kundër Mallorcas. “Ai është gati për sfidat që i kemi para vetes”, tha Lenglet kur u pyet për gjendjen e argjentinasit, pasi që ai pati probleme me një lëndim të vogël së fundi.
“Për lojtarë si Messi, Antoine [Griezmann], Busi [Sergio Busquets]… të cilët luajnë vazhdimisht – si dhe për ekipet kombëtare – dhe udhëtojnë shumë, karantina ishte një gjë e mirë. Ata kanë pasur mundësi të pushojnë”. “Ne duhet të punojmë sa më mirë që të mundemi për të garuar për dy trofetë. Mendoj se jemi në formë të mirë. Është një sezon i çuditshëm, por ne do të punojmë maksimalisht për t’i fituar dy trofetë”.