Më në fund, Seria A është rikthyer. Skuadrat italiane janë të lumtura për këtë fakt, Marcello Lippi gjithashtu. Ish-trajneri i Juventusit dhe i ekipit kombëtar, fitues i Botërorit 2006, “fotografoi” rifillimin e kampionatit, midis mundësive dhe rreziqeve. Për mikrofonat e “Rai Radio 1” bëri deklaratat e mëposhtme.

Rifillimi – “Ne të gjithë donim që kampionati të mbaronte deri në fund, nuk na pëlqyen “play-off” apo algoritmet. Ne donim që verdiktet të zbuloheshin në fushën e lojës, jo në tavolinë. Është e pamundur që skuadrat të jenë në gjendje të shkëlqyeshme, pas kësaj periudhe të ndërlikuar. Do të zgjasë pak rimarrja e fomës, por është e qartë se skuadrat që kanë kompaktësi mund t’ia dalin, pak a shumë siç bëri Napoli”.

Sarri – “Personalisht mendoj se me fjalinë e tij nënkuptoi që, kur je në skuadrat e mëdha, mendimi i lojtarëve të shkëlqyeshëm ka rëndësinë e vet. Ka kërkuar ndihmë edhe nga drejtuesit e klubit dhe mendoj se i referohet kësaj. Një gjeneral që imponohet me ironi kurrë nuk merr maksimumin nga ushtarët e tij. Në Bologna do të jetë shumë e vështirë sonte, por ai duhet të kthehet te fitorja, në të kundërt kundërshtarët afrohen”.

Tifozët në stadiume – “Tani po flitet për rihapjen e teatrove, kinemave dhe diskove. Në një stadium prej 80 mijë vendesh, me distancat e duhura besoj se 20-30 mijë spektatorë do të jenë në gjendje të hyjnë. Duhet të mendohet për këtë zgjidhje”.

Gattuso – “Napoli ka të drejtë të jetë mëse i kënaqur pas fitores së Kupës së Italisë. Rino ka punuar shumë, ka rikrijuar kompaktësinë dhe unitetin e skuadrës, ka rikthyer gjithçka në vendin e duhur. Ai di të imponohet si njeri dhe profesionist, duke marrë rezultatet e para”.

Interi – “Prej 15 ditësh mendoja me veten nëse Interi do ta mundte Sampdorian dhe ia arriti. Tani është gjashtë pikë larg kreut. Pra, plotësisht në garë, edhe pse nuk do të ketë më përplasje të drejtpërdrejtë me Juventusin. Conte arrin të transmetojë motivim të jashtëzakonshëm te lojtarët. Personalisht mendoj se Interi i tij po lufton edhe për titullin”.