Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me maturantët e Beratit, ku ka dëgjuar problematikat që ata hasin çdo ditë, si dhe vështirësinë që kanë pasur këtë vit, gjatë mësimit online. Kreu demokrat u premtoi atyre se me ardhjen e PD-së në pushtet, asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta e studimit nëse nuk ka mundësi ekonomike. Gjithashtu, Basha u zotua se do të dyfishojë buxhetin për arsimin dhe se do të anulojë Ligjin për Arsimin e Lartë. Ai akuzoi qeverinë Rama për situatën në të cilën ndodhen sot gjimnazistët dhe studentët, duke bërë thirrje se tanimë kjo gjë duhet të marrë fund.

Reagimi i Bashës: Kënaqësi të bisedoja dhe ndaja mendime me maturantët e Beratit për provimet e maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen. Maturantët më treguan vështirësitë me të cilat përballen, problematikat e mëdha që shoqëruan këtë vit, paqartësitë, pamundësia për të realizuar mësimin online e deri tek niveli i lartë i vështirësisë së provimeve.

Shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimin sa vijnë e shtohen. Qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta. Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike. Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare.

Ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit. Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e nje jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë.