Franca shpreson të arrijë një marrëveshje me 27 shtetet anëtare mbi planin europian të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh në muajin korrik, deklaroi sot sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane, Amelie de Montchalin. “Axhenda detyron paraqitjen e rezultateve, kancelarja gjermane, Merkel është shumë e vetëdijshme që presidenca gjermane e BE-së do të duhet të fillojë me një marrëveshje që prej muajit korrik përndryshe do të zhvendosemi plotësisht”, theksoi ajo para Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit.
“Nëse fondi i rimëkëmbjes nuk është i disponueshëm për stimulimin, nëse nuk do të arrihet një marrëveshje në korrik, atëherë do të ketë një problem”, shtoi ajo. Komisioni Evropian prezantoi më 27 maj një plan për rimëkëmbjen prej 750 miliardë eurosh, 500 miliardë prej të cilave do të rishpërndaheshin në formën e granteve dhe 250 miliardë në formën e kredive, për t’i bërë ballë krizës ekonomike të shkaktuar nga epidemia e COVID-19.