Edhe Maldivet po rihapen për vizitorët, por nëse nuk keni një super jaht apo një avion privat me të cilin të mbërrini në destinacionin në Oqeanin Indian, duhet të presësh edhe për disa javë. E sidoqoftë, do të duhet të kalosh edhe disa faza para se të nisesh.
Bordi i turizmit në vendin ishullor, që ka mbyllur kufijtë në mars, ka njoftuar për rihapjen me faza sipas të cilës, udhëtimet ndërkombëtare drejt aeroportit kryesor të tij të rifillojnë muajin e ardhshëm.
“Ne po planifikojmë të rihapim kufijtë për vizitorët në korrik”, tha Ministria e Turizmit duke nënvizuar më pas se vizitorët nuk do të kenë pagesa shtesë, duke iu referuar kështu një versioni të mëparshëm që sugjeronte pagesa ekstra për vizat turistike dhe taksa uljeje.
Ndërsa vendi është i mbyllur për turistët e huaj që kur raportoi rastet e tij të para, rreth 30 rezorte kanë qëndruar të hapura me mysafirët që kanë zgjedhur të vetizolohen atje në vend që të kthehen në shtëpi. Zyrtarët më herët kishin sugjeruar se destinacioni popullor për muajin e mjaltit do të rihapej drejt fundit të vitit, por data është afruar më shumë.
Por vizitorët do të duhet të prezantojnë një certifikatë mjekësore që konfirmon rezultatin negativ të një testi të bërë të paktën 14 ditë para mbërritjes. Ministri i Turizmit në Maldive, i cilësoi pak ditë më parë pasojat e koronavirusit, si më shkatërrimtare se tsunami i 2004 dhe se kriza financiare globale e 2008. Për të parën herë në 47 vite turizëm, Maldivet kanë shënuar zero turistë të ardhur që nga marsi. Në 2019, më shumë se 1.7 milionë vizitorë kanë vizituar ishullin dhe zyrtarët prisnin që këtë vit shifra të shkonte më mbi 2 milionë.