Scott McTominay ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare me Manchester United. Kjo do të thotë se ai do të mbetet në këtë klub deri në qershor 2025, me mundësinë e zgjatjes së bashkëpunimit edhe për një vit më tej. Mesfushori, i cili debutoi në “Old Trafford” nën drejtimin e Jose Mourinho më 2017, është bërë pjesë kryesore e kuadrës së Solskjaer. Ai la luajtur si titullar i rregullt me “Djajtë e Kuq”. Në të vërtetë, McTominay ka bërë 28 paraqitje në të gjitha garat, këtë sezon, dhe është shpërblyer për paraqitjet e tij pozitive e të vazhdueshme me një marrëveshje të re.
Vetë mesfushori tha: “Ndërsa e kuptoj se të gjithë kemi kaq shumë gjëra të tjera, për të cilat duhet të mendojmë për momentin, unë jam shumë i lumtur që nënshkruaj këtë kontratë. Gjithçka që kam njohur ndonjëherë është Manchester United. Shpresoj që pasioni im për këtë klub të shfaqet sa herë që shkoj në fushë. Do të vazhdoj të jap gjithçka për këtë klub, sa herë ta vesh fanellën e kuqe. Dua të falënderoj trajnerin për besimin e treguar për mua dhe të gjithë në klub, që më ka ndihmuar të arrij këtu ku jam sot. Mezi po pres ta përfundoj këtë sezon në mënyrën më të mirë, duke shpresuar t’i përmbushim objektivat tona”.