Gjatë ditës së sotme, në një video të montuar nga zyra e shtypit dhe të publikuar në rrjetet sociale, Lulzim Basha u shfaq teksa komunikonte me fermerë të Beratit që sipas tij, ankoheshin për mungesën e tregut dhe të subvencioneve. Ajo që në pamje të parë dukej të ishte një takim i Bashës me fermerë të zakonshëm që qanin hallet me kreun e opozitës, në fakt rezulton të jetë një tjetër inskenim, në serinë e mashtrimeve mediatike që Basha ka prodhuar ditët e fundit, teksa përpiqet të riprodhojë virtualisht portretin politik që e ka të vështirë ta ndërtojë realisht, avokatin e njerëzve të zakonshëm.
Serra, ose skena e filmit, ku Basha ka zgjedhur të shkojë nuk është një përzgjedhje rastësore. Ajo është në pronësi të Hysen Gishtit, në fshatin Lapardha, i cili rezulton të jetë ish kryetar i Komunës Otllak nga radhët e Partisë Demokratike. (foto nr.1)
Lista e personazheve të partisë që qajnë hallin me Bashën nga pozicioni i fermerit vijon më tutje me Serafin Sade, funksionar i PD (foto nr.2),
Fredi Zani, Kryetar i grup seksionit në fshatin Lapardha (foto nr.3),
Thanas Papa, Komisioner i PD (foto nr 4).
Sigurisht, të jesh anëtar dhe funksionar i partisë demokratike nuk do të thotë se je një fermer i pandershëm i këtij vendi, por është e pandershme politikisht që t’u flasësh shqiptarëve për hallet e bujqësisë me zërin e njerëzve të partisë.
Megjithatë, më flagrant dhe fyes për shqiptarët që ndjekin në media Bashën është një tjetër mashtrim që vjen në filmin e radhës të Partisë Demokratike. Një nga personat që i ankohet Bashës, për bujqësinë e harruar nga Rama është Muharrem Hoxha, edhe ky nënkryetar i partisë demokratike në ish komunën Otllak. Paradoksalisht, Basha flet në video për mungesën e subvencioneve përpara Muharremit, i cili rezulton të jetë një nga fermerët më të mbështetur nga qeveria Rama në qarkun e Beratit me subvencion.
Siç provon ky dokument, mandat pagesë, në vitin 2018 Muharremi është financuar, pra subvencionuar nga qeveria shqiptare me paratë e buxhetit të shtetit, për ndërtimin e ambienteve të mbarështimit të kafshëve dhe pajisjet për modernizimin e aktivitetit të tij. Për këtë lloj aktiviteti, Muharremi, në fshatin Dushk të Beratit ka marrë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, plot 68 milion lekë të buxhetit të shtetit Një rast i tillë, në mes të një skenografie mediatike, që asesi nuk mund të plotësojë boshllëkun e një alternative ideore dhe politike të Bashës, është një tjetër provë se ai, avokati virtual i njerëzve të zakonshëm, nuk e ka dhe as nuk ka për ta patur kurrë seriozisht me nevojat dhe sfidat reale të këtij vendi./nga Alteo Hysi