Sezonet futbollistike kanë rifilluar në një numër vendesh të Europës, pas pandemisë së Covid-19. Dje, kjo gjë u bë realitet edhe në Shqipëri, me zhvillimin e ndeshjeve të javës së 27-të të Superiores. Ndërkohë, “legjionarë” të tjerë kuqezinj presin të vihen në veprim, në kampionatet respective ku luajnë. Njëri prej tyre, Naser Aliji, madje ka festuar fitimin e një trofeu, sikurse është Kupa e Hungarisë.
Mbrojtësi i kombëtares kuqezi ka triumfuar me Honvedin e Budapestit. Ky ishte suksesi i tij i parë në skuadrën hungareze. Honved mposhti dje në finale Mezokovesd SE, me rezultatin 2-1. Golat për fituesit u realizuan nga Lovric 33′ dhe Kamber 56′, ndërsa Pekar barazoi përkohësisht në 37’. Për 26-vjecarin nga Kumanova, ky mund të konsiderohet sukses në karrierën e tij, që ka njohur jo pak luhatje vitet e fundit.