Izolimi nuk ka penguar të huajt të kalojnë kufirin drejt Shqipërisë për biznes.Sipas INSTAT hyrja e investitorëve u rrit me mbi 15%, ndërsa ulje drastike njohu lëvizjet e shqiptarëve dhe të huajve, me mbi 94% rënie. Bie me 94.4% numri i shtetasve të huaj dhe shqiptar që kanë hyrë në vend në muajin maj. Janë këto të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave të cilat tregojnë gjithashtu se të vetmet që janë shtuar gjatë periudhës së izolimit, kanë qenë hyrjet e shtetasve të huaj me qëllim biznesi.
Kjo pamje e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza një vit më parë nuk i përngjan aspak panoramës së një viti më pas. Këtë fat kanë pësuar të gjithë kufijtë e vendit pasi Covid-19 mbylli në shtëpi shqiptarët e jo vetëm. Instituti i Statistikave raporton se vetëm 46 mijë shtetas të huaj e shqiptarë kanë hyrë në muajin maj nga 829 mijë që hynë vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Janë 94.4% më pak.
Çudi bëjnë vetëm shifrat optimiste që vijnë nga hyrjet e shtetasve të huaj me qëllim biznesi. Në muajin maj u rritën me 15.5%, dhe në 5-mujor u rritën me 9.5%. Ndërsa numri i atyre që kanë ardhur për qëllime turizmi në gjatë muajit të kaluar ka rënë akoma më shumë, me 98.8%. Në 5 muaj në Shqipëri kanë hyrë në total 602 mijë e 300 shtetas të huaj, duke pësuar një rënie të ndjeshme me 60% krahasuar me vitin 2019, ku hyrjet ishin mbi 1 milionë.
Sipas të dhënave është përgjysmuar numri i personave të ardhur në vend nga Kosova. Nga 395 mijë që erdhën për periudhën Janar-Mars në 2019, këtë vit kanë hyrë vetëm 188 mijë e 645 persona. Ndërsa rënia më e madhe sa i takon hyrjeve në vendin tonë është shënuar tek ardhjet nga Polonia, me 89%.
E gjithë kjo situatë ka vënë në pikëpyetje mbijetesën e turizmit.
Pas mbylljes së të gjitha hyrje-daljeve nga vendi, për të mos lejuar përhapjen e Shoqatat e këtij sektori thonë se rezervimet e pranverës u anuluan të gjitha, ndërsa për rezervimet e verës 80% janë anuluar dhe 20% janë të stopuara. Pasojat? 1.5 miliard euro përllogariten humbjet në turizëm.