Nga Artur Ajazi

Lulzim Basha nuk po mundet të vendosë, është me SHBA-në apo me fatin e Doktorit dhe Ilirit, nuk po mundet të vendosë është me integrimin (padyshim që e ka penguar vazhdimisht) e vendit në BE, apo me ata që pengojnë me dashje prej 30 vitesh procesin. Lulzim Basha po luan gjatë me “nervat” e amerikanëve, europianëve dhe me durimin e sosur të shqiptarëve, por një gjë është e sigurtë, ky është shërbimi i fundit që po u bën “ustallarëve” të tij. Dihet se “dera është më afër se qilari”, pra Doktori është më i rëndësishëm se ambasadorja e SHBA-së, dihet se në rast se Lulzimi vendos me “kokën” e tij, gjithçka kthehet nga e para. Por ja që, ai nuk ka kurajon të bëhet njëherë të vetme “kryetar” apo lider partie, dhe tu tregojë vendin “ustallarëve” dhe ti mbushë mëndjen të zhgënjyerve, se ka ndryshuar.

Jo Lulzim, ti nuk e bën dot rolin e kryetarit, as të liderit, sepse ti nuk ke fituar me “shpatullat” e tua asgjë, as postin që mban. Edhe djegien e mandateve, natyrisht e vendosi tjetër kush, sepse ti nuk doje kurrë të dilje nga ai Parlament. Eshtë “më afër dera se qilari” Lulzim, por në ditën e llogaridhënies së madhe para shqiptarëve dhe “demokratëve”, “ustai” do të të marrë me vehte edhe ty. Duke luajtuar me fatet e vendit, duke u tallur me procesin e integrimit, duke shpalosur antivlera në takimet dhe sygjerimet e ndërkombëtarëve, ti Lulzim Basha po tregon se ke marrë mbi vehte një mision të vështirë. Se ke marrë mbi vehte një “barrë” të madhe, dhe se fundin tënd politik, do ta bashkosh me “ustain” dhe mikun e tij shpirtëror që ka në Presidencë. Shqipëria, nuk ka kohë të humbë me syfete dhe dëshira perverse të atyre që e kanë rrjepur dhe diskredituar këtë vend, edhe kur shkatërruan shtetin dhe sollën kaskat blu të OKB-së, apo dhe kur bënin sikur “mbronin demokracinë dhe lirinë e votës”, ashtu siç po bën ti tani.

Eshtë më “afër dera se qilari” Lulzim, por duhet ta dish, se në zgjedhjet e 2021, Partia Demokratike e Dokrotit dhe juaja, do të jetë më e tkurrur se kurrë, dhe më e plakur se vetë mosha e “themeluesit” saj. Të tallesh me nervat e amerikanëve dhe europianëve, duhet ti kesh bërë gabim hesapet Lulzim, sepse në fund të ditës, je ti që njihesh të paktën deri sot si “kryetar partie”. Mbushi mëndjen vehtes Lulzim, ktheje kursin dhe shembe me nder karakatinën e vjetër në partinë e demokratëve të mbetur. Nuk do të jetë gjithmonë kështu, nuk do të mbetesh përjetësisht “lider opozite” Lulzim, sepse në zgjedhjet e 2021, partia e “ustait” tend do të mbetet si partia e Fatimirit sot, apo edhe më keq akoma.

Shqiptarët presin, durojnë, shpresojnë, dhe pastaj vendosin vetë për fatin e tyre. Një parti si Partia juaj Demokratike, nuk mund të jetë më as pengesë dhe as përfaqësuese e interesave të së ardhmes së shqiptarëve, edhe pse në SHQUP-in tuaj, troket akoma ambasadorja e nderuar amerikane zonja Kim. Thonë se “topi” tani është në oborrin tënd Lulzim, ndaj gjuaje dhe nxirre nga dera, sepse mund të ngecë në “qilar”, dhe atje zor se vijnë më ambasadorët. Eshtë derë e mbyllur njëherë e mirë ajo Lulzim, mos shpreso kot…..sepse mund të mbyllet edhe për ty.