Robert Lewandowski dëshironte të bashkohej me Real Madridin për të luajtur së bashku me Cristiano Ronaldo, përpara se të bindej të nënshkruante për Bayern Munich. Kështu shprehet ish-këshilltari i sulmuesit polak, Cezary Kucharski. Bomberi kaloi te gjigantët bavarezë si transferim i lirë nga rivalët e Bundesligës, Borussia Dortmund, në vitin 2014. Ai ka vijuar të shënojë pa fund gola në “Allianz Arena”, duke vendosur rekorde më vete. Sidoqoftë, karriera e 31-vjeçarit mund të kishte qenë shumë ndryshe, nëse Lewandowski do të ndiqte dëshirën e tij për të qenë shok skuadre me Ronaldon.
“Në një moment në negociata, ai nuk donte të nënshkruante kontratë me Bayernin. Në vend të kësaj donte Real Madridin, sepse Ronaldo luante atje, – i tha Kucharski kanalit polak “YouTube Futbolownia”. – Mezi e binda atë, duke i thënë se duhej të ishte sulmuesi numër një në një klub të madh. Te Real Madridi do të kishte mbizotëruar mbi Karim Benzema në një moment, por unë nuk mund ta lejoja të transferohej në një klub si numri dy, duke pasur parasysh statusin që kishte në atë kohë. E theksova këtë në të gjitha diskutimet, qoftë me Real Madridin, Arsenalin apo Manchester City”.
Kucharski e pranoi që Lewandowski ishte gjithashtu i shqetësuar për t’u bashkuar me Bayernin, mes raporteve se si do të ingranohej në skemat e trajnerit të atëhershëm, Pep Guardiola, me dyshimin se nuk ishte më i mirë se Mario Mandzukic: “Ta thuash sot është vërtet qesharake, por Lewy kishte dyshime në atë kohë. Sfida për marrjen e fanellës me nr.9 të Mandzukic kishte një ndikim të madh në vendimin përfundimtar të tij. Kjo ishte vendimtare për mua. Eksperienca e tij me Bayernin ka treguar se ishte lëvizja më e sigurt, pas kohës së kaluar te Borussia Dortmund”.
Lewandowski, i cili është duke shijuar sezonin më të frytshëm të karrierës së tij, deri më tani, është nën kontratë me bavarezët deri në vitin 2023. Kucharski e këshillon të mos lëvizë më që aty: “Ai duhet ta përfundojë karrierën e tij te Bayerni. Nëse do të isha akoma këshilltar i tij, së paku do ta këshilloja ta bënte këtë. Unë mendoj se vetëm Ruud van Nistelrooy shkoi në Madrid kur ishte mbi 30 vjeç. Në vend të kësaj, unë e këshilloj të qëndrojë te Bayerni, ku të vazhdojë të thyejë rekordet”.