Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka përcjellë një mesazh për të gjithë fëmijët bashkë me vajzën e saj të vogël, Hana. Ajo ka zgjedhur t’i lexojë vajzës së saj të madhe librin plot fantazi të novelistit britanik Roald Dahl, “Gjigandi i madh i mirë”, duke ftuar dhe sfiduar fëmijët të lexojnë sa më shumë, një nismë kjo e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që për qershorin synon ta kthejë në muaj leximi për fëmijët.

Xhaçka, nënë e dy vajzave, Hana dhe Gaia, shfaqet në një video të veçantë në krah të vajzës së saj 5 vjeçare, duke lexuar historinë e Sofisë dhe gjigandit të madh e të mirë, që mbledh ëndrrat e bukura dhe ua dërgon fëmijëve. Një libër jo vetëm plot humor e argëtues, por edhe që përcjell mesazhe për miqësinë dhe besimit reciprok. “Nisma e Qendrës Ndërkombëtare të Librit e Leximit, që qershori të jetë muaji i leximit për fëmijët është një lajm i mirë. Sepse sa më shumë t’i miqësojmë fëmijët tanë me librin, aq më shumë do të zhvillojmë dijet, ëndrrat dhe dëshirat e tyre në të ardhmen. Kjo është një nga arsyet pse unë zgjodha t’i rikthehem pas shumë vitesh një libri shumë të dashur në mbarë botën, “Gjigandi i madh i mirë”, por kësaj radhe për vajzën time Hana. Kjo përzgjedhje nuk ishte e rastësishme, për më tepër që në kohët e sotme, nuk është e lehtë të ndërtosh marrëdhëniet e duhura të miqësisë e të besimit reciprok. Por tek “Gjigandi i madh i mirë”, një vajzë e vogël, me energjinë e madhe që ka brenda vetes për t’iu afruar diçkaje të panjohur e të çuditshme, na mëson se pasi ka larguar frikën, kurioziteti dhe dëshira e shtyjnë drejt një bashkëpunimi që sjell vetëm mirësi”, shkruan Xhaçka.