Parlamenti Europian miratoi te enjten, amendamentin me 15 kushte për qeverinë Rama, para nisjes së negociatave.

Me 388 vota pro, 280 kundër dhe 19 abstenime, u miratua amendamenti i Grupit të Partive Popullore Europiane. Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler, pranoi ekzistencën e 15 kushteve, te cilat u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qëndrimit formal të grupeve.

Grupi Social Demokrat formalisht nuk u shpreh pro amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit. Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët votuan pro PPE. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra.
Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë, por edhe diplomatë europianë apeluan publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat. Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqësimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.